Aktualitet
Bizneset në Lungomare PROTESTË kundër ndalimit të muzikës pas orës 22:00, vendosën me zë të lartë Himnin Kombëtar!

Bizneset në Lungomare PROTESTË kundër ndalimit të muzikës pas orës 22:00, vendosën me zë të lartë Himnin Kombëtar!

VLORË– Ishte paralajmërimi i fundit vendosja e Himnit të Flamurit! Kështu e mbyllën biznesin e tyre, mbrëmjen e djeshme pronarët e lokaleve në zonën e Lungomares në Vlorë. Ata zgjodhën që të mos i respektojnë rregullat e pandemisë së koronavirusit duke u përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit.

Pjesa më e madhe e bizneseve në shenjë proteste, zgjodhën të vendosin njëherazi në orën 21:45, Himnin Kombëtar, me zë të lartë, pak para mbylljes së orarit muzikor, i cili është ora 22:00. Himni u dëgjua në çdo biznes dhe kjo tërhoqi vëmendjen e policisë së shtetit.

Disa prej pronarëve të bizneseve u përplasën mbrëmjen e djeshme me efektivët. Policia  ka shoqëruar një administratore lokali dhe disa punonjës, çka ka nxitur dhe protestën e qytetarëve që qëndruan për orë të tëra përballë komisariatit të Vlorës duke kërkuar lirimin e të ndaluarve.

“Ne jemi turista, na lësho ore,”-dëgjohet nga videoja, ndërsa disa persona janë mbledhur tek furgoni i Policisë.

Ndërkohë që jo më larg se dy ditë më parë, përfaqësues të biznesit të Vlorës kërkuan të drejtën për të ushtruar aktivitetin biznesit deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe lejimin e muzikës deri në orën 00:00. Në dokument thuhej se nëse nuk do të kishte reagim deri ditën e sotme, të hënën do të kalohet më mbylljen totale të biznesit në Vlorë. Por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Prej datës 1 korrik, edhe pse jemi në sezon turistik, në fuqi është vendimi për orën policore, ku nuk lejohet të mbahet hapur aktiviteti pas orës 24:00. Bizneset i dëmton edhe orari i muzikës, i cili është 22:00, duke penguar aktivitetin e tyre. Në javët e fundit, policia ka nisur edhe kontrolle të shumta në vijat bregdetare për mos-zbatimin e këtyre masave, duke vendosur gjoba të cilat shkojnë deri në 10 mln lekë.

Asnjë Koment