Aktualitet
Dalin në protestë mjekët! Kundër arrestimit të kolegëve që marrin ryshfete

Dalin në protestë mjekët! Kundër arrestimit të kolegëve që marrin ryshfete

TIRANË– Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor po zhvillon ditën e sotme një protestë pas arrestimit dhe caktimit të masës “arrest me burg” për dy kolegët e tyre, Ervin Sulaj dhe Serdi Memini, si dhe infermieren nga Shkodra, Diellë Macaj, pasi dyshohet se morën ryshfet për operacionin e të riut që u plagos në ‘masakrën e Velipojës’.

Në një deklaratë për mediat, mjekët e Spitalit të Traumës në Tiranë janë shprehur se problemi me ‘bakshishet’ qëndron tek sistemi dhe jo te individët dhe sipas tyre, ketë e ka pohuar vetë kryeministri Rama. Duke marrë shkas nga arrestimi i dy kolegëve, që sipas tyre është vendim i padrejtë, ata janë shprehur se duhet një reformim i thellë në shëndetësi.

Deklarata e mjekëve: 

Jam mjek që prej 30 vitesh. Nuk dua t’i heq asgjë prononcimit që bëri kolegu, por dua të shtoj: Kryeministri para disa vitesh ka thënë që problem në Shqipëri për korrupsionin është sistemi, jo individi. Ai ka thënë se nëse ne sjellim edhe një gjerman, me këtë sistem ai do të korruptohet. Pra, unë jam sot këtu për të protestuar për mënyrën e zgjidhjes së problemit. Nuk është zgjidhje arrestimi i kolegëve tanë. U arrestuan ata. U zgjidh problemi? Nuk është bërë asgjë, absolutisht vazhdon të jepet bakshish në spitale. Kryeministri ka premtuar autonomi spitalore, si i vetmi mjet për të zgjidhur këtë problem. Duhet reformë e thellë. Duhet autonomi spitalore dhe zgjidhje në sistem. Njerëzit kanë dhënë bakshish dhe do vazhdojnë të japin. Problem është sistemi, jo individi.

Asnjë Koment