Aktualitet
Ish-qeveritari afgan tregon tmerrin e ditëve të fundit në Kabul dhe ardhjen në Shqipëri

Ish-qeveritari afgan tregon tmerrin e ditëve të fundit në Kabul dhe ardhjen në Shqipëri

Fëmijët e vegjël në Afganistan shpërthimet e bombave dhe shkrepjet e armëve i dinë fishekzjarre. Kështu gëzohen dhe nuk tremben. Ai ka qenë zëvendësministër i arsimit në Ministrinë e Trajnimit dhe Zhvillimit Teknik të Afganistanit. Ish qeveritari deri gati një muaj më parë banonte në Kabul dhe këshillonte gjithashtu qeverinë afgane dhe PNUD-in për çështjet e ndërtimit të paqes dhe ndërtimit të shtetit.

Ai flet për herë të parë për Top Story. Për të ka qenë tejet e vështirë të arrijë të shpëtojë bashkëshorten me dy fëmijët nga talebanët dhe ti sjellë në Shqipëri. Gjatë evakuimit nga Kabuli për në Tiranë ai ka përjetuar ferrin dhe ka lënë pas prindërit dhe vëllezërit.

“Një ditë mora një telefonatë në mes të natës dhe u desh të shkonim në një vend ku kishte autobusa dhe më pas shkuam te aeroporti. Nuk na u lejua të kalonim në aeroport ditën kur u njoftua se nuk do të lejonin njerëz të kalonin nga aeroporti. Na u desh të prisnim jashtë aeroportit për 27 orë. Bënim xhiro përreth aeroportit. Kudo kishe të shtëna. Kur shkonim në aeroport na thoshin a duhet t’iu thyem xhamat e makinës? Pse nuk ktheheni në shtëpi? Nuk kemi për t’iu lënë të ikni. Kemi ndaluar së lëni njerëz të ikin. Duhet vetëm të shkoni në shtëpi. Ishin aq të zemëruar me ne dhe nuk mund ti thuash asgjë pasi nuk janë të disiplinuar. Nuk janë si policë apo ushtarak normal. Vijnë nga malet. Është shumë e vështirë të merresh me ta” u shpreh, qeveritari afgan.

Ish -qeveritari afgan, i cili nuk dëshiron të identifikohet, pasi familja e tij e mbetur në Kabul rrezikon prej regjimit taleban, zbulon për herë të parë për Top Story peripecitë e evakuimit.

Pas 27 orësh pritje, më në fund iu lejua hyrja në aeroport nga ndërhyrjet e ndryshme. Autokolona përbëhej nga 8-9 mjete, rreth 120-130 njerëz. Iu desh të kalonin në një hyrje tjetër që nuk kontrollohej nga talibanët. Kur po hynin në aeroport u gjendën në një shkëmbim zjarri.

“Ishte një tjetër përvojë e tmerrshme. Kisha fëmijët e mijë pranë meje, i mbaja në krahët e mijë, i vendosa poshtë, nën këmbët e mija, dhe përdora çantat e tyre të cilat i vendosa pranë dritares, kështu që edhe nëse goditemi, plumbat nuk do të jenë aq të fortë mendova. Besoj se ky ishte ferri. Na u deshën 2-3 orë për të hyrë në aeroport, ku do të ndiheshim më të sigurt. Menduam se kishte 6,000 amerikanë që e ruanin atë vend me mbrojtje të mirë. U ndiem të sigurt. Dy orë pasi kishim kaluar e parametrat e sigurisë, pati shpërthime nga kamikaz të cilët mund ti keni dëgjuar që vrau me qindra afganë të pafajshëm përfshirë tre amerikan që shërbenin në Afganistan. Ishim shumë pranë atij shpërthimi. E gjithë ndërtesa u drodh, alarme u dëgjuan nga kudo, na u kërkua të strehohemi në një vend tjetër. Edhe kjo ishte një përvojë e vështirë. Pas 16-17 orësh pritje brenda aeroportit për regjistrimin biometrik, aeroplani erdhi dhe ne hipëm mbi të. Ishte një sfidë. Kur ishim në mes të shkëmbimit të zjarrit, mund të shikonim plumbat në ajër. I thash fëmijëve të mijë që janë fishekzjarrë, dhe ata vazhduan të më thonë se janë fishekzjarrë. Jam i lumtur që nuk janë në një moshë që mund të kuptojnë apo mbajnë mend gjëra. Vazhdojnë të mendojnë se ishin fishekzjarrë” u shpreh qeveritari afgan.

Administrata Trump në shkurt të vitit 2020 do të negocionte një marrëveshje tërheqjeje me talebanët nga e cila përjashtonte qeverinë afgane. Sipas marrëveshjes u liruan 5,000 ushtarë talebanë të burgosur dhe u caktua data 1 maj 2021 për tërheqjen përfundimtare nga Afganistani. Dhe administrata Trump i qëndroi paktit, duke ulur numrin e trupave amerikane nga rreth 13,000 në 2,500, edhe pse talebanët vazhduan të sulmonin forcat e qeverisë afgane dhe mirëpritën terroristët e Al-Kaedës në udhëheqjen talebane.

Biden vonoi datën e tërheqjes që trashëgoi nga administrata paraardhëse e Trump. Administrata e tij e shtyu afatin e tërheqjes më 31 gusht, pavarësisht shenjave të dukshme se talebanët nuk po respektonin marrëveshjen dhe kishin një qëllim të deklaruar për të krijuar një “qeveri islamike” në Afganistan pas largimit të SHBA-ve.

Largimi i trupave ndërkombëtare nga Afganistani më 30 gusht do të ndodhte pas një spazme dhune dhe do të risillte kaosin në vendin ku lufta nuk rresht prej mbi 40 vitesh. Talebanët do të merrnin Kabulin e më pas provincat e fshatrat. Ushtria dhe qeveria do të dorëzoheshin duke u larguar dhe lënë njerëzit në mëshirë të fatit, nën një regjim represiv.

Marrë nga Top Channel

Asnjë Koment