Aktualitet
Nuk zbatonte lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, KLGJ masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinanaj

Nuk zbatonte lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, KLGJ masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinanaj

KLGJ ka vendosur masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Vlorës Hektor Sinanaj.

Kjo masë ‘vërejtje publike’ për gjyqtarin bëhet pasi ai akuzohet se nuk zbatonte lëshimin e urdhrit të ekzekutimit.

NJOFTIMI
Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për procedim disiplinor me masën “ ulje e pagës deri në 40%, deri në 1 vit” ndaj gjyqtarit H.S.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj magjistratit H.S. me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, bazuar në praktikën e nisur ndaj magjistratit në vitin 2017 nga Inspektoriati i KLD-së dhe e përcjellë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

 

Kontekst: Më 25.04.2017 Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nisi hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, H.S., për shkelje të përsëritur të dispozitave urdhëruese procedurale civile dhe shkelje solemniteti gjatë dhënies së vendime gjyqësore me objekt “Lëshim urdhri ekzekutimi, mbi bazën e ankesave të paraqitura pranë tij nga personi juridik Shoqëria “N.O.A” sh.a. dhe më vonë nga BKT. Më 26.03.2018, Inspektoriati i KLD vendos bashkimin e procedimeve hetimore ndaj gjyqtarit me objekt mosrespektimin formal të ligjit dhe harton raportin hetimor. Më 12.06.2018 Këshilli i Lartë i Drejtësisë i përcjell Ministrit të Drejtësisë relacionin ku evidentohen shkelje të pajustifikuara e të përsëritura nga gjyqtari të dispozitave urdhëruese procedurale civile në 9 raste, të konstatuara në gjykimin e kërkesave për lëshim urdhër ekzekutimi, për të vlerësuar mundësinë eventuale mbi fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë z. H.S

 

Dosja është përcjellë nga KLGJ pranë ILD më 06.04.2021 dhe më 15.06.2021 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur vazhdimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratit H.S., duke administruar dokumente shtesë, pasi nga organi kompetent ishin hetuar pjesërisht (për shkak të kompetencave të kufizuara dhe të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës tranzitore), një sërë rrethanash, të cilat kanë të bëjnë me veprimet apo mosveprimet e magjistratit, të konsideruara shkelje disiplinore. Hetimi disiplinor i inicuar nga Inpektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfshinte fillimisht 9 vendime gjyqësore, të dhëna nga magjistrati, por në kohën e vendimit për vazhdimin e hetimit disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe aktualisht janë brenda afatit 5 vjeçar të parashkrimit për hetimin disiplinor, vetëm 6 vendimmarrje të cilat janë pjesë e hetimit të ILD-së.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:
• Në 6 vendime gjyqësore të dhëna nga magjistrati është refuzuar lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për kontratat e kredive bankare në rastin e Bankës Kombëtare Tregtare, apo të akteve për dhënie kredie nga institucione financiare jobankare në rastin e Shoqërisë “N.O.A” sh.a., me argumentin se këto akte nuk ishin përpiluar përpara noterit.
• Në mënyrë të përsëritur magjistrati rezulton të mos ketë zbatuar legjislacionin procedurial e material, si dhe ta ketë zbatuar në mënyrë të gabuar, përmes vendimeve të konstatuara si të gabuara edhe nga një gjykatë më e lartë. Dispozitat procedurale civile, të cilat janë interpretuar gabim nga ana e magjistratit janë të natyrës përcaktuese dhe urdhëruese, duke parashikuar qartazi ndarjen për detyrimet monetare në të holla, për të cilat duhet akt noterial, akt i cili nuk kërkohet për aktet e dhënies së kredive bankare.
• Shkelje janë kryer në të paktën gjashtë vendime – objekt hetimi disiplinor, dhe pavarësisht vendimit të gjykatës më të lartë, e cila ka konstatuar këtë shkelje, magjistrati ka kryer të njëjtën shkelje dhe një herë tjetër, gjatë periudhës kohore 2020- 2021, duke bërë që shkelja të jetë edhe vazhduese.
• Shkeljet proceduriale provohet të jenë kryer me dashje direkte, pasi rezulton se magjistrati ka mbajtur një qëndrim konseguent deri më sot në të tilla raste, duke mos lëshuar urdhrin e ekzekutimit për aktet e dhënies së kredive bankare, ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, nëse nuk janë akte noteriale.
• Formimi dhe eksperienca prej 21 vitesh si gjyqtar prezumojnë njohuri të konsoliduara të magjistratit në njohjen dhe zbatimin e ligjit dhe sidomos të dispozitave urdhëruese procedurale dhe pasojat e dëmshme nga veprimet i tij. Pavarësisht eksperiencës së gjatë, gjyqtari i ka shkelur këto dispozita në mënyrë të përsëritur e të vazhduar edhe në vitin 2020, duke krijuar perceptimin e njëanshmërisë së trajtimit të tyre në disfavor të palës kërkuese.
• Veprimet e kryera nga ana e magjistratit, kanë sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, kanë cënuar prestigjin e gjyqtarit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Për sa më sipër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit H.S. për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 2, shkronja “a” e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe pranmin e propozimit për masë disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, ndarja “i” dhe neni 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

Sic është bërë e ditur, për të shmangur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe harresës, përmes parashkrimit për hetimin disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë po shqyrton praktikat e trajtuara pjesërisht nga ana e organeve të mëparshme, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare. ILD po e kryen këtë proces përmes një metodologjie të posaçme, sipas një radhe përparësie të bazuar në kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

Asnjë Koment