Aktualitet
Rritet niveli i islamofobisë në shkollat angleze

Rritet niveli i islamofobisë në shkollat angleze

Mësimdhënësit në Angli kanë raportuar rritje të opinionit ekstremist dhe teorive konspirative midis nxënësve të tyre dhe kanë paralajmëruar se pa fonde dhe mbështetje adekuate, ide të tilla do të forcohen dhe do të përhapen.

Sipas një studimi të kryer nga studiuesit e Institutit të Edukimit, qasja e qeverisë në trajtimin e ekstremizmit në shkolla është e përqendruar në identifikimin e shenjave të radikalizmit në vend që t’i udhëzojnë fëmijët se si të refuzojnë mendimet dhe idetë ekstremiste.

“Kjo është një thirrje zgjimi për të gjithë ne … Ne e dimë që tani ekstremistët po përpiqen të joshin të rinjtë në një botë urrejtjeje dhe dhune, si online ashtu edhe personalisht”, tha Kamal Hanif, një anëtar i ekipit të hulumtimit dhe administrues i besuar i grupit ”Since 9/11″ që porositi studimin.

“Ne duhet të përdorim fuqinë e edukimit për të luftuar dhe ndihmuar të rinjtë të ngrihen dhe të refuzojnë ekstremizmin dhe dhunën. Kemi nevojë për shumë më shumë qartësi nga qeveria në lidhje me nevojën që të kemi kohë në kurrikulë për diskutime të sinqerta dhe të hapura rreth ekstremizmit”, shtoi Hanif.

 

 

Rreth 96 mësimdhënës u intervistuan nëpër shkollat ​​e Anglisë, kurse hulumtimi zbuloi se mbi gjysma e zyrtarëve të shkollës kishin hasur ose dëgjuar fëmijët që shprehnin opinione në mbështetje të ideologjive të ekstremit të djathtë, me deri në tre të katërtat që shfaqnin opinione islamofobike dhe mizogjiniste.

Për më tepër, pothuajse të gjithë nxënësit përdornin gjuhë raciste, ku 90 për qind e tyre besonin në kërcënimet e pabaza konspiracioniste nga e djathta ekstreme.

Sa i përket çështjes së qasjes ndaj temës, mësuesit shprehën shqetësimet e tyre për diskutimin e temave të tilla të ndjeshme nga frika se nxënësit do të reagonin në një mënyrë abuzive verbale.

Sipas hulumtimit, një e pesta e mësimdhënësve të intervistuar nuk ndiheshin mjaft të sigurtë që të mbajnë diskutime dhe debate me nxënësit e tillë të cilët shprehën mbështetje për opinionet ekstremit të djathtë dhe teoritë konspirative.

Në kuadër të këshillave të tyre dhënë qeverisë, Instituti i Edukimit, i cili drejtohet nga University College London, rekomandoi që shkollat ​​të forcojnë politikat e tyre kundër diskriminimit, të promovojnë mundësi për të gjithë fëmijët që të mbajnë diskutime të hapura dhe të përmirësojnë mësimin e shkrim-leximit kritik për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë ndryshimet midis faktit dhe opinionit.

Në përgjigje të publikimit të studimit, Departamenti i Arsimit tha se hulumtimi është një shembull se sa të sigurtë janë mësuesit në mësimdhënie në lidhje me çështje të tilla që lidhen me ekstremizmin dhe se qeveria ka siguruar një numër burimesh për shkollat ​​për të trajtuar kërcënimin e ekstremizmit.

“Kurrikula e re për Marrëdhëniet, Seksin dhe Edukimin Shëndetësor kërkon që nxënësit e moshës së mesme të jenë të vetëdijshëm për ligjet që lidhen me terrorizmin dhe krimin e urrejtjes, kurse në faqen e internetit Edukimi Kundër Urrejtjes gjenden mbi 150 burime falas për të ndihmuar nxënësit, mësuesit dhe prindërit të luftojnë radikalizmin në të gjitha format e tij”, tha departamenti.

Një raport nga Guardian në gusht zbuloi një rritje të numrit të fëmijëve të vegjël që radikalizoheshin nga grupet ekstremiste të krahut të djathtë. 13 për qind e arrestimeve antiterroriste përfshinin të rinj nën moshën 18 vjeç, ndërsa personat nën moshën 24 vjeç përfaqësonin deri në 60 për qind të arrestimeve antiterroriste të krahut të djathtë.

Asnjë Koment